Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është arrestuar avokati Besnik Berisha dhe të dyshuarit N.Xh., I.S., dhe R.C., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengim i të provuarit apo procedurës penale” dhe “Ushtrim ndikimi”.
Përmes një komunikate, Prokuroria njofton se mëngjesin e së enjtes është realizuar një aksion, ku janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ata janë arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj.