“I patrembur para krimit të 20 vjetëve”.
Kjo është fjalia me të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka përshkruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është spërkatur me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Derisa situata po tentohej të qetësohej, kryeministri Kurti i rrethuar nga mbrojtja e afërt është parë duke qeshë “pa iu trembur” fare syri.
Kështu është parë kryeministri Kurti në një video të shpërndarë nga LVV-ja.
“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë. Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht. Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”,thuhet në një reagim të LVV-së.
Ky sulm sipas tyre, po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi.
“Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë. Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen”.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkoi në pauzë për 30 minuta.
Përleshje në Kuvend (Pamje)