Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se instaluesit e dhunës nuk kanë vend për të drejtë moralizuese sot, pas përleshjes së shkaktuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, LDK-ja ka shkruar se një sjellje e tillë nuk duhet ushqyer siç pretendon se ka ndodhur deri më sot.
“Pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës. Nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj. LDK do të vazhdojë, si gjithherë, të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashta saj.”, ka shkruar LDK-ja.
Kjo e fundit nuk u përfshi në përleshjen mes deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të PDK-së.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkon në pauzë për 30 minuta.