Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook ka komentuar përplasjen në mes të deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së dhe ministrave të kryeministrit, Albin Kurti, të cilët po mbronin.
Ajo përplasjen e PDK-së e ka cilësuar si “sulm të organizuar” ndaj Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Kurtit nuk ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi, për dallim nga qeveritë e kaluara.
“Sulmet e organizuara ndaj Qeverisë së Kosovës sot u manifestuan edhe me grushta në drejtim të ministrave të kësaj Qeverie. Nuk do mend për të kuptuar se të tillët dëshpërimisht hedhin grushte, pasi që të njëjtët po përballen e do të përballen me ligjin, për të gjitha krimet dhe korrupsionin e po ashtu pasurimin e tyre të jashtëligjshëm. Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ata që nxitën dhe ndihmuan për kaq vite krimin e organizuar në veri, si Lista Srbska nuk janë në koalicion siç ndodhte me qeveritë e dikurshme. Madje krerët e tyre po hetohen nga institucionet e drejtësisë, e bashkëpunëtorë të tjerë të këtyre strukturave po arrestohen në veri të Mitrovicës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu më tej ka shtuar se “dhuna” ndaj ministrave gjatë ditës së sotme “vjen si shkak i shtrirjes së sovranitet dhe ligjvënies në veri të vendit nga ana e Qeverisë”.
“Një sërë hapash janë ndërmarrë drejt shtrirjes së sovranitetit e ligjvënies në veri të vendit, atje ku pushtetet e kaluara kishin lejuar madje edhe amnistuar krimet e strukturave paralele serbe për vite me radhë. Rrugët alternative të krimit dhe kontrabandës u ndërprenë nga Policia e Kosovës. Baza të shumta të policisë u krijuan atje, me qëllim të vënies së rendit ligjor në atë pjesë. Dhuna ndaj ministrave vjen si paknaqësi e këtij rezultati, ku edhe biznesmenët e bashkëpunëtoret e tyre po pësojnë dukshëm. Grushtat e atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit tentojnë të godasin Qeverinë e cila po i dobëson seç herë e më shume banditët e tillë”.
“Policia po arreston edhe ata që kanë ndihmuar grupet bandideske, por sjellja e disa deputetëve të PDK-së tregon se kjo sikur po iu pengon. Megjithatë, rendi dhe kushtetutshmëria nuk ndalen, dhe këtë e garanton populli i Kosovës, dëshmitarë të veprimeve të gjithsecilit. Mbesim të përkushtuar për drejtësi, dhe për zbatim të ligjit pa dallim, edhe ndaj atyre që kanë dëmtuar shtetin dhe shoqërinë, atyre që janë pasuruar padrejtësisht. Drejtësia do të veprojë edhe më shpejtë se që mund të kenë menduar ata!”, ka shtuar ajo.