Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se ndonëse dallimet në demokraci mund të jenë të forta, ato duhet zgjidhur me anë të diskursit.
Me anë të një postimi në Twitter, Hovenier ka deklaruar se dhuna nuk duhet të paraqesë një mjet për të shprehur mosmarrëveshjet.
“Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, ka shkruar Hovenier.
Unfortunate to see what happened in Kosovo’s National Assembly today. I wish I didn’t have to say this: resorting to violence is never an acceptable means to express disagreement.
In any democracy there are often strongly held differences. But differences should be resolved…
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) July 13, 2023
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkoi në pauzë për 30 minuta.