Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Disa nga deputetët që shihen në bllokimin e foltores së Kuvendit janë Ganimete Musliu, Rashit Qalaj, Pal Lekaj, Ilmi Reçica, Hajdar Beqa, Blerta Deliu-Kodra, Ariana Musliu-Shoshi, Eliza Hoxhaj, Time Kadrijaj e të tjerë.
Opozita kërkoi anulimin e seancës plenare, gjersa kryeparlamentari Glauk Konjufca u bëri thirrje deputetëve të Kosovës që ta marrin punën me qetësi dhe bashkërisht të tejkalohet kjo ditë të cilën ai e quan të vështirë.
Konjufca gjithashtu njoftoi se kryeministri Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në Kuvend.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkoi në pauzë për 30 minuta.