Veteranët e luftës së UÇK-së kanë mbetur jashtë ligjit për pagën minimale. Në votimin e sotëm në Kuvend të Kosovës, është miratuar ky ligji, por pa u përfshirë edhe veteranët.
Pas miratimit, ka reaguar Faton Klinaku nga organizata e veteranëve, duke paralajmëruar masa që do t’i ndërmarrin si organizatë.
“Siç po e marr vesh nga mediat, pasi u largua opozita nga salla, në terr, deputetët e këtij pushteti të paskrupullt, e kanë kaluar ligjin për pagën minimale, duke i hequr veteranët e luftës së UÇK-së. Ne do të takohemi si organe drejtuese dhe do të vendosim për hapat që do t’i ndërmarrim”, ka shkruar përfaqësuesi i veteranëve, Faton Klinaku.
Ky ligj parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Deri tani, paga minimale në Kosovë është ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
Me miratimin e këtij ligji, kjo do të ndryshojë.
Ndryshe, në audio-incizimet e publikuara të Mimoza Kusarit dhe Slavko Simiqit, dëgjohen duke biseduar për cështjen e veteranëve. Kusari i thotë Simiqit se si listat e tyre janë fryrë.