Aktorët e Hollivudit nisin grevën historike

Aktorët e Hollywood-it iu bashkuan shkrimtarëve në grevën historike për të kërkuar ndarjen më të drejtë të fitimeve dhe kushte pune më të mira në industrinë e filmit

Në pankartë thuhet "SAG-AFTRA Mbështet WGA", derisa anëtarët e SAG-AFTRA ecin në shenjë solidariteti me punëtorët grevistë të WGA (Shoqata e Shkrimtarëve të Amerikës) jashtë zyrave të Netflix në Los Anxhelos, 13 korrik 2023, AFP.

Aktorët e Hollywood-it kanë njoftuar mbrëmjen e 13 korrikut se do të bashkohen në një grevë me skenaristët, duke filluar atë që paraqet mbylljen më të madhe në industrinë e filmit në më shumë se 60 vjet.

Shoqëria e Aktorëve të Ekranit (SAG) po kërkon nga gjigantët e transmetimit të pajtohen për një ndarje më të drejtë të fitimeve dhe për kushte pune më të mira.

Rreth 160 mijë performues pritet të bashkohen në grevë gjatë ditës. Kjo do të ndikojë shumicën e prodhimeve filmike dhe televizive në SHBA, duke i ndalur ato.

Aktorë si Cillian Murphy, Matt Damon dhe Emily Blunt, lanë në gjysmëpremierën e filmit të shumëpritur të regjisorit Christopher Nolan, “Openheimer”, në Londër mbrëmjen e 13 korrikut, pasi u shpall greva.

Greva e SAG-it fillon në mesnatë, sipas kohës lokale të Los Angeles, që në Kosovë i bie në orën 9 të mëngjesit.

Protesta do të fillojë në mëngjes jashtë selisë qendrore të Netflix-it në Kaliforni, përpara se të vazhdojë më pas para selive të Paramount, Warner Bros dhe Disney.

Sindikata, e cila zyrtarisht njihet si Shoqata e Aktorëve të Ekranit dhe Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios (SAG-AFTRA), gjithashtu kërkon garanci që inteligjenca artificiale (AI) nuk do të përdoret për të zëvendësuar aktorët.

Grupi që përfaqëson studiot, Aleanca e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit (AMPTP), e kritikoi vendimin.

Në reagimin e AMPTP-së thuhet se “greva sigurisht që nuk është rezultati që ne shpresonim, pasi studiot nuk mund të funksionojnë pa interpretuesit që sjellin në jetë shfaqjet dhe filmat tanë televizivë”.

Ata gjithashtu shtojnë se sindikata ka zgjedhur një rrugë që do të sjellë vështirësi financiare për mijëra njerëz që varen nga industria.

Për të adresuar shqetësimet lidhur me përdorimin e AI, AMPTP-ja tha se kishte rënë dakord për një “propozim novator” që do të mbronte aktorët dhe do të kërkonte pëlqimin e tyre kur kopjet digjitale përdoren në shfaqje ose bëhen ndryshime.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv kombëtar i SAG dhe kryenegociatori, Duncan Crabtree-Ireland, e cilësoi ofertën si të papranueshme.

“Nëse mendoni se është një propozim novator, ju sugjeroj të mendoni përsëri”, ka deklaruar ai, raporton BBC.

Një tjetër kërkesë e SAG-së për gjigantët e transmetimit është që aktorët të marrin paga bazë dhe bonuse më të mëdha për ritransmetimin e filmave dhe shfaqjeve në të cilat kanë luajtur.

Greva përfshin dhjetëra mijëra aktorë që marrin shumë më pak para sesa kolegët e tyre më të famshëm.

Grevës do t’i shtohet një listë projektesh që tashmë janë mbyllur ose kanë ndërprerë punën për shkak të grevës së mëparshme të skenaristëve. Kjo do të thotë se për shumë filmat në prodhim, një pjesë e madhe e punës do të jetë e pamundur. Edhe në rastet kur xhirimet tashmë kanë përfunduar, aktorët nuk do të jenë të disponueshëm për rixhirime dhe pjesë të tjera të procesit të krijimit të filmave.

Shumë shfaqje televizive që ende po xhirohen do të duhet ta ndalin punën, pasi aktorët nuk do të jenë të disponueshëm.

Megjithatë, në disa raste mund të ketë marrëveshje midis interpretuesve dhe producentëve për të lejuar vazhdimin e punës.

Yjet më të mëdhenj të Hollywood-it nuk do të marrin pjesë në ngjarjet promovuese për filmat e rinj. Evente të mëdha të çmimeve për industrinë e filmit, si Emmy dhe Comic-con, mund të shtyhen ose të kufizohen.

Ngjarjet ndërkombëtare, si festivalet e filmit në Toronto dhe Venecia, do të vazhdojnë, megjithëse aktorët e SAG nuk do të jenë të pranishëm siç kanë qenë në vitet e kaluara.

Pas njoftimit, disa aktorë të lidhur me SAG shprehën mbështetjen e tyre për grevën në Instagram, si Bob Odenkirk, ylli i Better Call Saul, Cynthia Nixon nga Sex and the City dhe veterani i Hollywood-it, Jamie Lee Curtis.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika