Gërmimet e filluara në fshatin Vidimiriq të Mitrovicës së Veriut rezultuan me gjetjen mbetjen mortore të tre trupave.
Dyshimet janë që ata trupa u takojnë shqiptarëve të cilët kanë përfunduar aty gjatë luftës si pasojë e krimeve nga forcat serbe.
Prandaj me ato gjetje po merret intensivisht Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Valon Hyseni nga ky institut tregon se identifikimi i trupave mund të marrë disa muaj kohë.
“Prej momentit që merren mostrat që procedohen për analizë të ADN-së dhe tek rezultatet i merr tre deri në gjashtë muaj”, ka thënë Hyseni.
Deri tani, Hyseni tregon që është bërë pastrimi i mbetjeve mortore.
Veprimet tjera pastaj vijnë me radhë.
“Së pari bëhet pastrimi i mbetjeve mortore, të cilat veç janë bërë. Pastaj bëhet përcaktimi i gjinisë, mosha dhe gjatësia trupore dhe merren mostrat për analizë të AND-së”, ka shtuar ai.
Kërkimet do të vazhdojnë edhe në Kamenicë, Podujevë, dhe në fshatin Bizhtazhin të Gjakovës.