Policia e Kosovës njofton se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në autostradë, për shkak të garës çikliste.
Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK) organizon garën çiklistike Kampionati i Kosovës për vitin 2023. FÇK-ja ka planifikuar që këtë garë ta zhvillojë në autostradë dhe për këtë ka kërkuar leje nga ministria përkatëse të cilën e ka siguruar.
FÇK-ja për mbarëvajtje të kësaj gare ka kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës. Policia, bazuar në planin rreth zhvillimit të garës, datës dhe kohën e mbajtjes së saj, ka hartuar dhe do ta zbatojë një plan operativ.
“Më datë 15.07.2023, duke filluar nga ora 13:30, në segmentin Lipian-Bibaj (autostrada ‘Arbër Xhaferi’) do të fillojë pjesa e parë e kësaj gare. Më datë 16.07.2023, itinerari i garës është më i gjatë (160 km), gara fillon në ora 10:30 me këtë itinerar të lëvizjes: Bibaj-Lipjan-Prishtinë, F.Kosovë (Bresje), pastaj rruga nacionale F.Kosovë-Aeroport-Komoran-Malishevë dhe anasjelltas”, njofton Policia e Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, më datën 15 dhe 16 korrik 2023, parashihet që të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në autostradë (segmentet e lartcekura) dhe riorientim në rrugë të tjera alternative.
“Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohen sa do të jetë duke u zhvilluar gara e organizuar nga FÇK-ja. Andaj, qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshme”, njofton Policia e Kosovës.