Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur “të çuditshme” protestën e veteranëve të UÇK-së që planifikohet të mbahet të shtunën, duke bërë një lidhje me një tjetër protestë që do të zhvillohet në Serbi.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka deklaruar se akoma “më e çuditshme” mbetet mbështetja që protesta po merr nga emra, të cilët, sipas tij, dikur vinin në pikëpyetja vlerat e UÇK-së.
“Si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, ka shkruar ai.
Sveçla ngre një pyetje mbi atë se a do të bien qytetarët e Republikës së Kosovës në atë që ai e konsideron “grackë të luftës hibride” nga ana e Serbisë.
“Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar ai.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të protestojnë pasditen e së shtunës, në Prishtinë.
Kjo protestë u lajmërua nga kryetari i OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla.
Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 18:00, në kundërshtim të, siç i ka quajtur “skandaleve qeveritare”, që lidhen edhe me miratimin e pagës minimale, nga e cila janë lënë jashtë veteranët.
“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe antiUÇK”, thuhet në njoftimin për protestë.
Protesta të tilla ishin paralajmëruar edhe më herët nga veteranët pas audio-incizimeve të Mimoza Kusarit me Slavko Simiqin, ku dëgjohen duke biseduar për listat e veteranëve.
Atyre do t’u bashkohen edhe Partia Social Demokrate (PSD) dhe Nisma Socialdemokrate.