Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar pas postimit të deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, i cili kishte shkuar te vendi ku po kryhen disa punime në rrugë, dhe kishte thënë se nuk po zhvillohen punimet e njëjta.
Përmes një postimi, Berisha kishte “përgënjeshtruar” kryeministrin Kurti.
Pas postimit të deputetit të PDK-së, vjen dhe reagimi i zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Durmishi ka thënë se operatorët ekonomikë të angazhuar në rrugën Prishtinë-Podujevë kanë filluar që të punojnë edhe natën, për shkak të temperaturave të larta dhe për shkak të ngarkesës së madhe në komunikacion që është ditën.
“Sa për informimin e të gjithëve edhe mbrëmë është punuar deri në mesnatë. Në llot 0, është punuar deri në ora 24:00, Në llot 1, është punuar deri në ora 24:00, Në llot 2, është punuar deri në ora 23:30, Në llot 3 është punuar deri në ora 21:00. Ne do të punojmë edhe ditën e edhe natën që ky projekt të përfundoj edhe para afatit”, ka shkruar Durmishi, duke shtuar se do të punojnë natën sa herë që ka nevojë.
“Natyrisht që nuk mund të punojmë pas mesnatës në vendbanime, afër shtëpive, sepse zhurma e eskavatorëve e dridhjet e rugëve janë pengesë për qytetarët në ato orë të vona. Është e vërtetë z. Berisha se “Rrena i ka këmbët e shkurta”. Paskeni pritur deri sa janë ndalur eskavatorët sa për t’i bërë disa foto. Më pastaj në komente i paske publikuar disa video që janë reklamë e mirë për ne sepse ato tregojnë sinjalistikën në nivel e sigurinë maksimale në punishte, kështu që faleminderit për ato video të postuara. Dil më shpesh të lutem!”, ka shkruar ai.