Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhet të ndalojë grupin ideologjik të Kurtit, që vë në pikëpyetje sakrificat e qytetarëve për Kosovën, ka vlerësuar ish-diplomati, Anton Berisha.
Me anë të një postimi në Facebook, Berisha ka thënë se ndonëse konditë e nevojshme, LDK-ja do të duhej të reagonte brenda seancës plenare të Kuvendit, ngase e njëjtja, sipas tij, njihet për rezictencën aktive të saj.
“Deklarata e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kundër dhunës si model i debatit politik qoftë brenda Kuvendit, qoftë jashtë tij, është e natyrshme. Ne terma matematikor, do ta quaja, kondite e nevojshme, por jo e mjaftueshme, ngase historia e lëvizjes sonë, është rezistencë aktive ndaj të keqes dhe jo përshkrim e përcjellje e gjendjes. Përkundrazi, LDK duhet menjeherë t’i ndërmarrë të gjitha masat e veprimet politike për t’i ndalur turrin grupit ideologjik të Albinit që ta ndalojë të luajë me historinë tonë, me sakrificat e lëvizjes sonë kombëtare, paqësore e çlirimtare dhe të gjithë atyre që kanë derdhur mundin, djersën e gjakun për lirinë e vendit”, ka vlerësuar ai.
Berisha deklaroi se grupet ideologjike të tilla duhet të ndalen nga ana e LDK-së, ashtu që të mos pengohet funksionalizimi dhe rrugëtimi euroatlantik i vendit.
Në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pati një përleshje në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabintetit qeveritar e deputetëve të LVV-së.
Këtë, LDK-ja e quajti “të papërgjegjshme” gjersa theksoi se do të vazhdonte të mbronte vlerat bazike demokratike e shtetare në çdo sjellje të saj.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkon në pauzë për 30 minuta.