Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.
Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).
Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.
Ndërkaq, të hënën në Tiranë mbahet një tjetër takim i rëndësishëm ku është e ftuar edhe Kosova.
Në një takim informal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me katër liderët e tjerë të rajonit, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin në detyrë i Malit të Zi, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski si dhe Borjana Kristo, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës si dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi do të drekojnë në vilen 30 mesditën e të hënës.