Rusia ka një rezervë municionesh thërrmuese dhe do të konsiderojë përdorimin e tyre kundër Ukrainës “nëse ato përdoren kundër nesh”, tha presidenti rus, Vladimir Putin.
Komentet e Putinit vijnë vetëm disa ditë pasi Ukraina mori një dorëzim të municioneve thërrmuese të prodhuara nga Amerika, megjithëse një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas tha për CNN, se ato nuk ishin përdorur ende.
“Rusia ka një furnizim të mjaftueshëm të llojeve të ndryshme të municioneve thërrmuese”, tha udhëheqësi rus gjatë një interviste me një gazetar pro-Kremlinit.
“Nëse ato përdoren kundër nesh, ne rezervojmë të drejtën për të pasqyruar veprime”.
Vendimi i Uashingtonit për të dërguar bomba thërrmuese në Kiev ishte i diskutueshëm dhe i kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut.
Armët janë veçanërisht të rrezikshme për civilët dhe joluftëtarët kur gjuhen pranë zonave të populluara, sepse ato shpërndajnë materiale shpërthyese, të ashtuquajturat “bomba”, nëpër zona të mëdha. Ato që nuk shpërthejnë gjatë goditjes mund të shpërthejnë vite më vonë, duke paraqitur një rrezik afatgjatë për këdo që i ndesh ato, ngjashëm me minat tokësore.
Mirëpo, çfarë janë municionet thërrmuese?
Municionet thërrmuese përmbajnë eksplozivë të shumtë që lëshohen në një zonë deri në madhësinë e disa fushave të futbollit. Ato mund të hidhen nga një aeroplan ose të lëshohen nga toka ose deti.
Rreziku i paraqitur nga armët thërrmuese ka shtyrë më shumë se 100 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë të nënshkruajnë një traktat që ndalon përdorimin e tyre.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se vendimi nëse do të dërgoheshin municione thërrmuese në Ukrainë ishte “shumë i vështirë”, por ai vendosi ta bënte këtë sepse Kievit i nevojiten më shumë municion për të vazhduar luftën e tij për të shtyrë trupat ruse nga territori ukrainas.
Një zyrtar i lartë në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA tha se Kievi dha “garanci me shkrim” se nuk do të përdorte municione thërrmuese në zonat urbane.
Në anën tjetër në intervistën e tij, Putin tha se administrata Biden e kishte quajtur përdorimin e municioneve thërrmuese një krim lufte dhe se ai ishte dakord me këtë vlerësim.
Nuk është e qartë se për cilat komente i referohej Putin, por ish-sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha vitin e kaluar në fillim të konfliktit se raportet për përdorimin e bombave thërrmuese nga Rusia, nëse do të konfirmohen, do të përbënin një krim lufte.
Putin pohoi gjithashtu se, Rusia nuk ka përdorur ende municione thërrmuese, pavarësisht dëshmive për të kundërtën.
Në mars , Kombet e Bashkuara thanë se kishin përpiluar raporte të besueshme se forcat ruse kishin përdorur municione thërrmuese në zonat e populluara të paktën 24 herë. Një hetim i CNN- it vitin e kaluar zbuloi se Kremlini gjuajti 11 raketa thërrmuese në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, gjatë ditëve të para të fillimit të luftës.