Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Leutrim Fishekqiu, drejtor i Organizatës “Autostrada Biennale”, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës: Programi i shkëmbimit kreativ SHBA – Kosovë”
Kryetari Përparim Rama tha se kjo marrëveshje do të sjellë artistë të mirënjohur amerikanë në Prishtinë.
“ Sot po nënshkruajmë një marrëveshje të autostradës bienale. Kjo kontratë nënkupton se bashkëpunimet që i kemi pasur do të vazhdojnë për artin e kulturën. Do të sjellim artistë të mirënjohur amerikanë këtu në kryeqytet. Të bëjmë një diplomaci kulturore duke ekspozuar në kryeqytet artistë të shumtë”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërsa, Jeffery Hovenier, ambasador i Amerikës në Kosovë, tha se përveç Prishtinës, artistët amerikanë do të angazhohen edhe në Prizren e Mitrovicë.
“Jamë shumë i lumtur që bashkë me ju këtu të theksoj thellimin e bashkëpunimit me Prishtinën, për të sjellë në Kosovë artistë amerikanë. Ata do të sjellin larmi të ndryshme të kulturës e artit. Ata do të angazhohen në tërë vendin jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Prizren e Mitrovicë. Ju ftoj që t’i shihni ekspozitat e tyre. Përmes këtij arti, ata do t’i sfidojnë normat dhe këndvështrimit. Arti i bën njerëzit të mendojnë në mënyra të tjera”, tha ai.
Për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, foli edhe drejtori i Organizatës “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu.
“Ky bashkëpunim është vazhdimësi e bashkëpunimeve tona. Kjo tashmë ka themeluar edhe institucionin e edukimit. Ne kemi pas përkrahje në vazhdimësi të komunës dhe Ambasadës që përmes kësaj hapësirë të kemi projekte më afatgjatë. Ky projekt është vazhdimësi që bashkëpunojmë më artistët amerikanë dhe ata vendorë. Artistët që do të vinë nga Amerika nuk do të qëndrojnë vetëm këtu, por do të dalin edhe në vendet e tjera”, tha ai.