Aeroporti në qytetin sicilian të Katanias, një nga pikat kryesore turistike në Sicilinë lindore, është mbyllur deri të mërkurën pasi u shfaq një zjarr, kështu ka njoftuar kompania e menaxhimit të aeroportit në Twitter.
Sipas njoftimit të aeroportit, zjarri i shkaktuar të dielën vonë nuk ka rezultuar në të lënduar.
Zjarrfikësit arritën të frenonin zjarrin rreth 90 minuta pasi u shfaq, por nuk dhanë detaje rreth shkakut të mundshëm apo ndonjë lidhje me temperaturat e larta në rajon, raporton Reuters.
Katania, së bashku me Palermon dhe Mesinën, kishin lëshuar alarm të kuq për temperaturat e larta të dielën. Derisa edhe rajoni po përgatitet për temperatura rekord në ditët e ardhshme.
Fluturimet në aeroportin sicilian, i cili ishte i pesti më i ngarkuari në Itali vitin e kaluar, u pezulluan deri të mërkurën, ora 14:00, sipas kohës së Evropës Qendrore, sipas njoftimit të kompanisë së aeroportit.
Agjencia e lajmeve Ansa ka njoftuar se pas shpërthimit të zjarrit, u shfaq tym i dendur në pjesën e poshtme të ndërtesës, duke bërë që njerëzit të largoheshin nga aeroporti në panik.
Aeroporti i Katanias është një destinacion i rëndësishëm për turistët që vizitojnë vende si mali Etna dhe Taormina, i cili ndodhet rreth 70 kilometra larg, si dhe Sirakuza, me teatrin e tij grek dhe qendrën historike në ishullin Ortigia.
Dhjetëra miliona njerëz po përballen me temperatura shumë të larta në të gjithë botën, duke treguar rrezikun e ngrohjes globale.
Në javën e parë të korrikut, temperatura mesatare globale ka arritur një rekord të ri, duke tejkaluar 17 gradë Celsius për herë të parë me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius më 4 korrik.