Raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë vazhdojnë të jenë të zbehta. Kjo kulmoi me refuzimin e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar me homologun e tij, Edi Rama, derisa po qëndronte në Kosovë në kuadër të “Turit Ballkanik”.
Megjithatë, Rama përsëri i bëri ftesë Kurtit të marrë pjesë në takimin joformal, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Por, as kësaj here, Kurti nuk ndërroi qëndrim, kësaj here me arsyetimin se do të udhëtojë për në Kretë të Greqisë.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Këto veprime të Kurtit janë kritikuar nga analistët e politikës shqiptare. Visar Xani i ka thënë Dukagjinit se Kosova nuk duhet ta refuzojë asnjë ftesë, e sidomos kur ato vijnë nga Shqipëria. Mosshkuarjen e Kurtit në Shqipëri, ai e ka cilësuar si papjekuri institucionale e shtetërore.
“Konsideroj që Kosova nuk duhet ta refuzojë asnjë ftesë, sidomos kur vijnë nga Shqipëria, për shkak se takime të tilla ndihmojnë shumë dialogun, ndihmojnë shumë procesin, e rritin imazhin e Kosovës. Prandaj, çdo refuzim i Kosovës nuk është në dobi të Kosovës, e dëmton Kosovën, duhet të jetë pjesë e forumeve të rëndësishme ku diskutohen çështje politike për Ballkanin Perëndimor, është gabim e papjekuri institucionale e shtetërore”, ka thënë Xani.
Kritik për këtë veprim të Kurtit, i cili e la vizitën në Shqipëri për atë në Greqi, ka qenë edhe analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni.
Ai i tha Dukagjinit se “Kurti duket se e ka fals atë sens patriotizmi, që mban para fytyrës”, dhe se sipas tij, ai është dashur ta lërë vizitën në Greqi, e të shkojë në takimin e thirrur nga Rama në Shqipëri.
Ai e kritikoi edhe kryeministrin Edi Rama për raportet e ftohura me Kosovën, derisa shtoi se bashkë me Kurtin kanë hapur betejë protagonizmi brenda llojit.
“Aspak normal. Kurti duket se e ka fals atë sens patriotizmi që mban para fytyrës. Edhe sikur aktiviteti i Greqisë të kishte ndonjë lloj interesi, duhej ta linte. Nuk ka gjë më mirë se Shqipëria të organizojë një samit, pasi është në ndihmë të shqiptarëve. Madje, mendoj se Kosova mund të ndihmonte për organizimin e saj. Por, këtu në këtë rast do të duhej një qasje sërish miqësore e Ramës. Besoj se marrëdhënia jonë është cenuar realisht dhe do jetë e vështirë që Rama dhe Kurti ta gjejnë 100% gjuhën e tyre. Duke qenë të dy liderët pjesë e ideologjisë së Majtë, por edhe me fuqi të madhe në vendet respektive, ata kanë hapur një betejë për protagonizëm brenda llojit. Bash kjo po na nxjerr me klishetë më të këqija, që na etiketojnë të huajt, jo pak herë: Që ne nuk dimë të bëjmë shtet! Po mendoj se Prishtina dhe Tirana duhet të jenë më bashkëpunuese. Kurse ikja e Kurtit në Athinë dhe përmendja e pjesëmarrësve atje që janë intelektualë etj., sipas tij, një snobizëm shumë adoleshent”, tha Andoni.
Se duhet përmirësim i marrëdhënieve, është i mendimit edhe analisti Visar Xani, ai thotë se duhet vendosur përpara interesat shtetërore e jo ato personale.
“Marrëdhëniet në mes të dy shteteve mund të përmirësohen vetëm nëse shtohen interesat shtetërore dhe jo inatet personale. Prandaj, për të pasur një përmirësim të marrëdhënieve, duhet dy kryeministrat t’i largojnë plotësisht inatet, duhet të vendosin kontakt si dy burrështetas të dy vendeve, aq më shumë nëse e dimë që dy shtete e kanë të njëjtin komb, kjo gjuhë nuk është e pranueshme dhe nuk është e natyrshme, prandaj ata janë duke bërë diçka të panatyrshme”, ka thënë ai.
Arsyeja e “dëmtimit” të raporteve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas analistit Andoni, janë veprimet popullsite të dy liderëve, Kurti dhe Rama. Sipas tij, atyre më shumë u intereson të fitojnë “pikë përballë militantëve dhe në aspekt ndërkombëtar”. Ai u shpreh se të dy kryeministrat kanë pasur mundësi t’i zgjidhin mospajtimet në mënyra të tjera, pa i dëmtuar raportet.
“Më shumë se ‘Inate personale’, personalisht më duken si mospërballje me realitetin. Gjatë drejtimit të Ramës dhe jo vetëm, por sidomos gjatë Kurtit-2, kemi parë realisht se ka pasur një diferencë të madhe të populizmit të tyre organik dhe realitetit. Që do të thotë se Rama dhe Kurti më shumë u intereson se si të fitojnë pikë përballë militantëve dhe në aspekt ndërkombëtar, sesa të lenë interesa personale. Kishte shumë mënyra që mbledhja e Qershorit të mos anulohej nga Rama dhe liderët të takoheshin. Ashtu si nga Kurti, ka pasur disa mënyra e udhë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me kryeministrin shqiptar”, tha Andoni.
Përmirësimi i marrëdhënieve, sipas Andonit, do të ndikonte pozitivisht edhe në ekonomi dhe të zgjidhte shumë probleme që Kosova dhe Shqipëria i kanë.
“Më vjen keq që kjo marrëdhënie do të ndikojë në ekonomi, por edhe mënyrën se si e perceptojmë njëri-tjetrin. Shqipëria mund të mbushte me eksportet e saj atë që bën Serbia, por duket se ka interes nga burime të tjera, që ekonomitë tona të mos integrohen. E para nga përçarja jonë dhe e dyta nga biznesmenët tanë. Marrëdhënia normale e dy liderëve tanë mund të fashiste shumë problematika dhe t’i jepte hov një bashkëpunimi real dhe dobiprurës. Por, duket se atyre u intereson egoja, më shumë sesa realiteti”, tha ai.
I pyetur se a mund të ketë përmirësim të marrëdhënieve derisa Kurti e Rama janë në pushtet, Andoni tha se me ta në pushtet, “udhëndarja”, veçse do të thellohet.
“Edhe nëse do ketë përmirësim do të ketë sërish thatësira. Për arsyet që u përmendën më sipër, Kurti me Ramën u intereson më shumë të shesin dashamirësi dhe logjikë perëndimore, nga ana e Ramës, kurse indiferencë nga ana e Kurtit, për të thënë sesa e vlerësojmë njëri-tjetrin. Më vjen keq të them, por me këtë lidership në dy vendet tona, kemi nisur një udhëndarje që veç do të thellohet”, ka thënë ai.
Kurti është kritikuar edhe nga opozita në Kosovë. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka cilësuar si veprim fëmijëror e të papërgjegjshëm mosshkuarjen e Kurtit në Tiranë.
Edhe Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se mospjesëmarrja e Kurtit në takimin joformal të thirrur nga Rama është heqje dorë nga obligimet shtetërore.
Po ashtu, edhe Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se veprimi i Kurtit është veprim inatçor dhe logjike, joshtetformuese.
Sipas Qeverisë, Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me 16 tetor të këtij viti në Tiranë.