Ka përfunduar takimi informal i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi i cili u zhvillua në Vilën 30 në Tiranë, është mbajtur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.
Për përfundimin e takimit shkroi edhe kryeministri Rama, teksa hodhi një fotografi të përbashkët në Facebook.
Siç raportoi RTSH-ja, të pranishëm në takim ishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.
Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Megjithatë, Kurti do të marrë pjesë në samitin e tetorit.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një postim në Facebook kishte sqaruar se kryeministri Kurti para një jave është ftuar nga kryeministri Rama për një drekë joformale me komisionerin Evropian, Oliver Varhelyi, në Tiranë, e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, kishte shkruar Kryeziu.
Kryeministri Kurti po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar. Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.
Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).
Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.