Në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që po mbahet në Greqi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bashkëbisedim me ish-kryeministrin grek, njëherësh edhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Arsimit, George Papandreou.
Ky bashkëbisedim i parapriu dy paneleve diskutuese për Ballkanin në njërin prej të cilit mori pjesë emisari e ndërmjetësi evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit nuk tregohet nëse ka pasur bashkëbisedim në mes të Kurtit dhe Lajçakut.
“Kryeministri Kurti e falënderoi për organizimin e këtij simpoziumi në të cilin marrin pjesë politikanë e diplomatë progresistë, akademikë e ekspertë të shquar. Në pyetjet e ish kryeministrit grek ai njoftoi audiencën me punën e institucioneve në Kosovë, me theks për përparimin demokratik, ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, politikat sociale dhe pluralizmin politik”, thuhet në njoftim.
Gjatë bashkëbisedimit po ashtu u diskutua edhe për raportet midis shteteve në Ballkan, integrimin evropian dhe marrëveshjen bazike me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.