Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pritet të vazhdojë seanca në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën e 18 korrikut do të vazhdojë seanca në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit, seanca pritet të fillojë në orën 09:00.

Ndryshe, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në fazën e kundërpyetjeve plotësuese të ekipeve mbrojtëse gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, janë lexuar deklarata nga takimet e komandantëve të zonave, duke shprehur pakënaqësi për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Këto lexime fillimisht u bënë nga avokati mbrojtës i Thaçit, Luka Misetiq, i cili paraqiti dokumentin nga shënimet e mbledhjes së komandantëve të zonave, ku Sylejman Selimi kishte thënë se “nëse Sokol Bashkota dhe Jakup Krasniqi mbeten në këto poste, nuk i raportoj më Shtabit të Përgjithshëm”, e që Mustafa tha se sipas këtij dokumenti Selimi ka shprehur pakënaqësitë e tij.

Më tej, është lexuar fragmenti i Sami Lushtakut i cili kishte thënë se Rexhep Selimi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin përgjegjës për situatën ku gjendeshin dhe është lexuar deklarimi i Mustafës që kishte thënë se ‘‘këta persona i kanë zhgënjyer bashkëluftëtarët e vet’’, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë deklarim, Mustafa tha se nuk e di saktë se çfarë ka menduar atëkohë, por hamendësoi se e ka pasur fjalën se kanë ikur nga komandantët që merreshin me operacione në terren.

Kur u pyet se a është e drejtë të thuhet se disa nga personat ishin të pakënaqur përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, dëshmitari Mustafa tha se ‘‘në bazë të asaj që po shohim është e drejtës’’.

Më tej, seanca ka kaluar në sesion privat për pak kohë lidhur me përgjigjet ku Mustafa kishte folur për të lartpërmendurit.

Në vazhdim, Mustafa tha se nuk i kujtohet që prokuroria i ka shfaqur ndonjë komunikatë tjetër të Shtabit të Përgjithshëm, përveç komunikatës 54 që të tregojë veçanërisht që përcjell mesazh për ndalimet.

Ai tha se nuk i kujtohet ndonjë komunikatë tjetër që ata duhej të ndalonin persona në zonën e tyre.

Tutje, lidhur me komandant Drinin, ai tha se e di që ai është komandanti më jetëgjatë i zonës së Pashtrikut, duke thënë edhe njëherë se nuk e di saktë datën kur Drini ishte bërë komandant.

Ai tha se nuk beson se mbledhjet ku mund të ketë qenë i pranishëm Drini dhe Bislim Zyrapi të kenë ndodhur para dhjetorit 1998.

Kurse nga pyetjet plotësuese të mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmeson, ai pohoi se në takimin e 13 shkurtit komandantët e zonave po propozonin dy komandantë të mundshëm dhe atë se propozimi i Mustafës kishte qenë për Bislim Zyrapin dhe propozimi i Ramush Haradinaj për Sylejman Selimin.

Ndërkohë, Mustafa pohoi se Sylejman Selimi kishte qenë komandant i zonës së Drenicës dhe se Haradinaj ka propozuar që një prej komandantëve të zonave të ketë mundësi të komandojë Shtabin e Përgjithshëm dhe UÇK-në në përgjithësi.

Ai tha se në fund ishte bindur dhe e kishte pranuar Sylejman Selimin si komandat të përgjithshëm.

Kurse lidhur me deklarimin për SHIK-un, dëshmitari tha se siç mund të lexohet, i njëjti paska dyshuar se dikush ka përdorur SHIK-un për të ushtruar presion.

Ai më tej pohoi se me zgjedhjen e komandantit në një farë mënyre anëtarëve të delegacionit iu kishin marrë fuqinë komandantët e zonave dhe nuk kishin aftësinë që të bënin negociata.

Ndërkaq, i pyetur për shqetësimin e një folësi se për takimin kishin dijeni shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera si CIA, SHIK-u, shërbimi sekret i Serbisë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktësisht por e di sa ka pasur kësi lloj debatesh.

Sipas tij, SHIK-u i është referuar shërbimit informativ kombëtar shqiptar dhe se tha se i kujtohet se e ka marrë në telefon kryeministrin shqiptar atë kohë dhe ka biseduar lidhur me këtë çështje.

Ai tha se ka ngritur shqetësimin se SHIK-u nuk është i njohur me problemet e brendshme, duke kërkuar që të largohen dhe të mos bëhet presion përmes njerëzve.

Ndërlidhur me këtë temë, Emmerson lexoi një pjesë të reagimit të Ramush Haradinajt, i cili kishte thënë se ‘jemi ushtri dhe nuk jemi të interesuar me shqetësime të shteteve të huaja, qoftë ato edhe të shtetit amë’, e që Mustafa tha se Haradinaj i ishte referuar shtetit shqiptar si shtet amë.

Kurse, mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts, kërkoi nga dëshmitari të konfirmojë disa çështje dhe se Mustafa e bëri këtë.

Sipas tij, Rexhep Selimi nuk ishte prezantuar ndonjëherë si komandant i përgjithshëm, as si komandat i zonës së Drenicës dhe se asnjë pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm nuk e kishte prezantuar ndonjëherë atë si komandant, se asnjëherë nuk ka parë ndonjë dokument gjatë dhe pas luftës që emri i Selimit të jetë i paraqitur si komandant.

Ai shtoi se opinioni i tij kishte qenë i gabuar, por se në intervistën me Zyrën e Prokurorit të Specializuar kishte folur vetëm për përshtypjet që ka pasur i njëjti një kohë.

Përderisa mbrojtja e Krasniqit nuk ka pasur pyetje shtesë, trupi gjykues ka vazhduar marrjen në pyetje të dëshmitarit Mustafa.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika