Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, Alan Bowman.
Në takim, presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorin Bowman për angazhimin e tij në thellim të raporteve të shkëlqyera bilaterale në mes të Kosovës dhe Kandasë, si dhe për mbështetjen e vazhduar përmes projekteve të ndryshme, në veçanti, mbështetjen për fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Presidentja Osmani ka vlerësuar lart partneritetin dhe bashkëpunimin në rritje me Kanadanë, duke vënë theksin në vlerat e përbashkëta demokratike, për të cilat, të dy shtetet janë të përkushtuara që t’i promovojnë anekënd botës”, njofton Presidenca.
Osmani dhe ambasadori Bowman biseduan edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, me ç’rast presidentja Osmani potencoi vullnetin e institucioneve për tejkalimin e situatës aktuale në koordinim me aleatët e Republikës.