Kryetari i Degës Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës në Prishtinë, Nasuf Hasani, ka bërë të ditur se është autorizuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ta përfaqësojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sa i përket paraqitjes së padisë për kompensim dëmi kundër avokatit, Besnik Berisha, e cila, siç thotë ai, bazë kontesti ka shpifjen dhe fyerjen.
“Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se ministrja Haxhiu e paska urdhëruar prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin”, ka shkruar Hasani në Facebook.
Ai ka thënë se nëse i njëjti nuk e tërheq atë deklaratë nesër dhe nëse nuk kërkon falje, të përgatitet për betejë ligjore.
Mbrëmë, avokati Berisha ka thënë se prokurori i çështjes, Rasim Maloku, e arrestoi me urdhër të ministres Albulena Haxhiu dhe pa asnjë bazë ligjore.
Avokati Besnik Berisha është arrestuar më 13 korrik nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.
Më 14 korrik, Prokuroria e Ferizajt njofton se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve me inicialet N.Xh., I.S., R.C., F.Z., J.V., dhe A.S., të cilët me vendim të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh.
Berisha u lirua nga paraburgimi më 16 korrik. Gjykata në Ferizaj ndaj Besnik Berishës ka caktuar masën e sigurisë ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.