Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, e ka cilësuar Qeverinë Kurti si e vetmja anёtarët e së cilës kanë një sjellje jo të hijshme ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Zemaj ka deklaruar se bazuar në deklaratën e tij, ai i referohet gjuhës së deritanishme në Kuvend.
“Ndoshta për nga jetëgjatësia mund të kemi mentsalitete të ndryshme dhe mund të marrim krahasime të zhvillimeve të raportit Qeveri-Kuvend, por mund të them me përgjegjësi keqardhje se kjo qeveria është e vetmja që ministrat e zëvëndëskryeministrat kanë sjellje jo të hijshme ndaj deputetëve. Ka gjuhë joparlamentare, fyese, intervenime të kohëpaskohshme që vendosin deputetet në siklet ose jashtë diskutimet dhe fatkeqësisht janë toleruar duke menduar që kalohen”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka deklaruar se dhuna e përdorur në Kuvend është mjet i papranueshëm. Si i tillë, jo vetëm në Kuvend.
“Pamje të këqija, pamje të cilat e vendosën Kosovën në ballinat më prestigjioze, jo për të mirё, duke menduar që mjetet e dhunës i takojnë së kaluarës dhe duke shpresuar që pamjet e viteve të kaluara ku kishet gaz, ujë, hudhje të gjësendeve do kalojnë në instrumente demokratike të Kuvendit të Kosovës e më së paku duke përjashtuar dhunën që është mjeti më i papranusheshëm”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, analisti Astrit Gashi ka deklaruar se nuk ka parё një qëndrim opozitar të dënimit të dhunës nga ana e LDK-së.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkon në pauzë për 30 minuta.