Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar që gjatë kësaj jave temperaturat maksimale do të mbërrijnë deri në 40 gradë celsius.
Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka publikuar një varg rekomandimesh në Facebook për qytetarët për tejkalimin e vapës.
MSh-ja bën apel për kujdes ndaj fëmijëve, duke bërë thirrje që fëmijët deri në gjashtë muaj të mos ekspozohen në diell.
Po ashtu, MSh-ja rekomandon të përdoret kapelë me strehë gjatë ekspozimit në diell dhe fëmijët të vishen me rroba të gjera e të lehta.
Po ashtu, si rekomandime janë dhënë edhe pirja e shumtë e ujit, mbajtja e trupit të freskuar, kujdesi ndaj fëmijëve gjatë qëndrimit në pishinë/det, aplikimi i kremit kundër diellit çdo 2 – 3 orë, jo më pak se me faktor mbrojtës 20.
Ndër të tjera, MSh-ja apelon që fëmijët të mos dërgohen në parkun e lodrave në intervalin kohor prej orës 10:00 – 17:00 dhe fëmijët e vegjël të mbikëqyren nga të rriturit jo nga fëmijët më të mëdhenj, sepse siç thotë njoftimi edhe ata janë të shtyrë për të luajtur dhe mund të shpërqendrohen lehtësisht.