I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të mërkurën ka organizuar takim në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.
Emisari i BE-së fillimisht është takuar me kryenegociatorin nga pala serbe, Petar Petkoviqin, e më pas me kryenegociatorin nga Kosova, Besnik Bislimi.
Pas këtyre dy takimeve, BE-ja synon të mbajë një takim të përbashkët trilateral, ku do marrin pjesë Lajçak, Bislimi dhe Petkoviq, por ende nuk është konfirmuar.
Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore të takimeve që Lajçak sot do të ketë me shefat e delegacioneve për dialog.
I pari është fokusi në implementimin e plotë të Marrëveshjes për të cilën palët ishin pajtuar me 27 shkurt në Bruksel si dhe aneksit për implementim të dakorduar në Ohër në muajin mars.
Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim të Lajçakut dhe shefit të delegacionit të Kosovës, Bislimi.
Kosova thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat ishin pajtuar.
Takimi në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.
Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.
Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.