Në Bruksel janë duke vazhduar takimet në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit dhe po zgjasin edhe tash.
Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, që ka zgjatur deri pas orës 12:00.
Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës, i cili është duke vazhduar.
As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve deri në këtë moment.
Ndërkohë, në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ai, po ashtu, do të ketë takime me Lajçakun.
Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçak do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.
I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.
Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë.
Prishtina zyrtare thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord, ndërsa Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse ky pajtim për shtensionim është i pranueshëm për të.
Takimet dypalëshe kanë nisur në mëngjes, por burimet në BE nuk kanë bërë të ditur se deri kur mund të zgjasin.
Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian thonë se është synim që delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë të takohen edhe mes vete, një gjë e tillë nuk është konfirmuar.
Një burim i BE-së ka thënë se “kjo do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht e kryenegociatorëve, për t’u takuar mes vete“ ndërsa BE-ja “gjithsesi ka synim që të ketë edhe takim trepalësh“.
Deri më tash ka ndodhur shpesh që në takimet e dialogut të ketë vetëm takime dypalëshe mes përfaqësuesve të BE-së dhe delegacionit të Kosovës, përkatësisht Serbisë.
Kështu ka ndodhur edhe në qershor, kur në Bruksel ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata patën takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, por jo edhe mes vete.
Ka qenë presidenti i Serbisë, Vuçiq, ai që ka refuzuar të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Kurti. Ka pasur raste kur edhe kryenegociatorët kanë refuzuar të ulen në takime të përbashkëta.
Në situata të tilla, lehtësuesit nga ana e BE-së diskutojnë herë me njërën, e pastaj me tjetrën palë, në përpjekje për t’i afruar qëndrimet.
Tensionet në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe të Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet./REL