Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka reaguar ndaj incident që ka ndodhur gjatë ditës së mërkurë(dje) në mes të gazetarëve të gazetës “Nacionale” dhe sigurimit të këtij spitali.
Sipas tyre, incidenti ka qenë i provokuar nga gazetarët, duke theksuar se sigurimi ka qenë duke e kryer detyrën e tij.
“Me dt. 19.07.2023 rreth orës 12.30 ka ndodhur nje incident në mes Punëtorit të Sigurimit të Spitalit të Gjakovës dhe gazetarëve të TV Nacionales, incident ky i provokuar nga gazetarët në fjalë, duke u nisur nga fakti që punëtori i Sigurimit ka qenë duke kryer detyrën e tij, që asnjë TV nuk lejohet të incizojë pa lejen paraprake nga Drejtori Ekzekutiv. Shprehim keqardhje për incidentin e ndodhur dhe ju bëjmë apel të gjitha mediave për respektimin e rregullave të Institucionit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, për sulmin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet tejet i shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin”, thuhet në reagimin e AGK-së.