Vuçiq me Dodikun: Do të organizohet një takim i të gjitha “autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe RS-së

Takimi do të mbahet në territorin e Republikës Sërpska në Bosnje

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas një takimi me Millorad Dodikun, presidentin e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republika Sërpska, që janë pajtuar për organizim të shpejtë të një takimi të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Sërpska.

Sipas tij, takimi do të mbahet në territorin e Republikës Sërpska në Bosnje.

“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Sërpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Sërpskas, në territorin e Republikës Sërpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram më 20 korrik.

Takimi në mes të Dodikut dhe Vuçiqit zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entiteti, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.

Që deklaratat e Dodikut janë kundër perspektivës së anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Evropian, e ka thënë të mërkurën edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

“Akti i largimit prej rendit kushtetues duhet të ndalet. Retorika përçarëse, kërcënimet për ndarje, kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe madhërimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalet, sepse nuk ka vend për diçka të tillë në Evropë”, ka thënë Borrelli në takimin e pestë të Këshillit për Stabilizim-Asociim, Bosnje-BE.

Veprimet e Dodikut i ka kritikuar edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një dëshmi të dhënë para anëtarëve të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, më 18 korrik.

“Veprimet e vazhdueshme, përçarëse dhe jodemokratike kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Prej shpërthimit të krizës së fundit në Bosnje, presidenti Vuçiq kryesisht ka qëndruar anash, duke thënë se nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet atje./REL

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika