Gjatë ditës së premte pushteti në Komunën e Prishtinës, LDK-PDK, zgjodhi kryesuesin e ri pas shkarkimit të Fehmi Kupinës javë më parë, vendim që është hedhur poshtë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës është zgjedhur Pëllumb Bajqinovci nga radhët e LDK-së.
Për kryekuvendarin e ri të Prishtinës ka shkruar edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se me “me kuadro të tilla, ‘Rruga e re’ e Lidhjes do të bëjë të ardhmen e Republikës. Larg pazareve e interesave të ngushta, larg polarizimeve, larg ngecjes”.
“Pellumb Bajqinovci, asambleist i LDK-së, është zgjedhur sot Kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Për këtë falënderoj të 26 këshilltarët komunal që Kryeqytetit po i japin përfaqësimin e denjë. Përveç se profesionist, përafrues e me plot interes për qytetin e tij e tonin, Pëllumbi është dhe veprimtar e bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në familjen tonë politike. E prita sot me plot kënaqësi”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.