“Është e qartë se Kurti ishte i pamatur në lëvizjet e tij operacionale në veri, sfidues kur ishte fjala për bashkësinë ndërkombëtare dhe provokues kur bëhej fjalë për bashkëqytetarët e tij, serbët e Kosovës.”.
Kështu ka thënë në një intervistë për “Demostat”, profesori amerikan në John Hopkins University, Edward Joseph, teksa ishte duke i komentuar veprimet e fundit në veri të vendit të kryeministrit, Albin Kurti.
“Tashmë i kam shpjeguar qartë tre mënyrat në të cilat kryeministri Kurti ndan fajin. Është interesante që Kurti kritikohet ashpër nga shqiptarët për qasjen e tij ndaj SHBA-së dhe BE-së, veriut, madje edhe ndaj serbëve të Kosovës. Opozita, të gjitha partitë plus një pjesë e madhe e mediave dhe shoqërisë civile, janë të zemëruar me Kurtin jo vetëm për shkak të ndarjeve të brendshme, por edhe për shkak të ashpërsisë së tij ndaj serbëve të Kosovës dhe qëndrimit të tij në veri. Me fjalë të tjera, politika në Kosovë nuk është garë se kush mund të jetë më i ashpër ndaj serbëve. Përkundrazi, opozita akuzon Kurtin se ka tjetërsuar pa nevojë SHBA-në dhe BE-në, për shkak të Veriut. Në përleshjen e pafalshme të javës së kaluar në parlamentin e Kosovës, shohim armiqësinë e fortë që ekziston në opozitë”, ka theksaur profesori amerikan.
“Tash veç le të imagjinojmë një lider më bashkëpunues në Prishtinë. Në fakt s’kemi pse ta imagjinojmë; ka pasur një lider më bashkëpunues. Emri i tij ishte Avdullah Hoti. Në shtator të 2020-ës, ai madje nënshkroi edhe Marrëveshjen e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë, bashkërisht me Aleksandër Vuçiqin. Në një pikë, ai madje edhe u pajtua për ta vendosur në agjendë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”, ka shtuar Joseph.
Ndërkaq, sa i përket Asociacionit, Joseph ka theksuar se Kosova e ka obligim themelimin e Asociacionit, por që BE dhe ShBA të detyrojnë dy palët që të bien dakord për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.
“Asociacioni është i një rëndësie thelbësore për përmirësimin e Marrëveshjes Bruksel-Ohër ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – dhe po ashtu është edhe zbatimi i obligimeve të marra nga Serbia, duke përfshirë mosbllokimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Prandaj është e një rëndësie thelbësore që BE dhe SHBA të detyrojnë Serbinë dhe Kosovën të bien dakord për një rend të hekurt të zbatimit të Marrëveshjes. Secila palë duhet të ketë garanci që pala tjetër do ta zbatojë marrëveshjen”, ka theksuar Joseph.
Ndërkaq, themelimin e Asociacionit pa grancionin se Serbia do të njohë Kosovën dhe pa hapjen e integuese të Kosovës në NATO është një propozim i vështirë.
“Unë mund ta shpjegoj këtë. Po, në vitin 2013 Kosova ka marrë obligim me Asociacionin. Kurti në shkurt e ka befasuar Vuçiqin duke e pranuar këtë detyrim.
Por, cila është natyra e këtij detyrimi? Kjo është ajo që kuptohet keq.
Në artikullin tim të fundit të FP, “Shtetet e Bashkuara po krijojnë krizën e Kosovës”, shpjegova se autonomia është një çështje e statusit përfundimtar. E krahasova situatën me Ukrainën. Imagjinoni që SHBA dhe BE i kërkojnë presidentit Zelensky t’u japë autonomi rusëve etnikë në Donbass dhe Krime. Zelensky do të bëjë menjëherë tre pyetjet e përmendura në paragrafin e parë të artikullit tim të FP: a do të pranojnë këta rusë etnikë të jetojnë në Ukrainë dhe jo në Rusi? A do ta njohë Rusia Kosovën? Dhe a do të na lejojë përfundimisht dhënia e autonomisë “ne” (Ukraina) të hyjmë në NATO?
E shihni se si vlen kjo për Kosovën dhe Serbinë? Nuk është e qartë nëse SHBA-ja dhe BE-ja mund t’i garantojnë Kosovës ndonjë nga ato pika themelore që Zelenski – ose ndonjë lider, do të kërkonte në një situatë të ngjashme.
E përsëris: autonomia është çështje e statusit përfundimtar. Kjo është ajo që merr pakica në këmbim të heqjes dorë nga separatizmi – dhe zakonisht është një lëshim që i bëhet një shteti irredentist fqinj, siç është Serbia, kur heq dorë nga pretendimi i tij për sovranitet.
Në këtë rast, edhe Ukraina, edhe Kosova e dinë se e vetmja garanci reale për sovranitetin dhe integritetin territorial është anëtarësimi në NATO. Jo mbrojtjen e NATO-s përmes KFOR-it, por anëtarësimin në NATO, në rastin e Kosovës”, ka theksuar Joseph.
“A do të thotë kjo se Kosova nuk ka obligim të themelojë një Asociacion? Sigurisht që jo. Kosova e ka këtë obligim që buron nga viti 2013. Por, fakti mbetet se autonomia është e lidhur me statusin përfundimtar. Sa më shumë pasiguri të ketë për statusin përfundimtar të Kosovës dhe aftësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, aq më e vështirë është të pajtohet për Asociacionin”.