Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për cështjen e targave në takimin e së premtes.
Kështu ka bërë të ditur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimeve me delegacionet e të dyja shteteve.
Ai përmes një postimi në Twitter, ka konfirmuar se takimi nuk ka rezultuar me marrëveshje
“Rezultate të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por u bë përparim për çështje tjera, përfshirë energjinë”, ka thënë ai. “Puna do të vazhdojë”, ka thënë ai.
Në këtë takim është paraparë që të bisedohet për targat dhe për energjnë, por siç është raportuar nuk ka pasur dakordim për këto çështje.
Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.
Edhe me datën 21 prilli, Kosova dhe Serbia nuk kishin arritur të dakordoheshin lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së përhershme për çështjen e targave dhe rrjedhimisht, palët fajësuan njëri-tjetrin për qasje jo konstruktive, për këtë çështje në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe i ngarkuari me dialog, Besnik Bislimi, në një konferencë për media kishte thënë se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje pasi, sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.