Fondi për të Drejtën Humanitare Kosove (FDHK) ka shprehur keqardhjen në lidhje me heqjen e gurit përkujtimor të Pashkë Markaj nga një pronë private në Korenicë.
Në reagimin e tyre thuhet se guri i hequr, shërbente për kujtesë kolektive të shoqërisë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në ballafaqimin me të kaluarën.
“Ky gurë ishte vendosur në vitin 2004, si një formë memorializimi për ngjarjen tragjike të vetëflijimit të nënës Pashke, e cila dogji veten pasi varrosi dy djemtë e saj, të cilët ishin zhdukur më 27 prill 1999 dhe trupat e tyre ishin gjetur në varrezat masive në Batajnicë. Memorializimi, si një mjet për pasurimin e kujtesës kolektive të shoqërisë, luan një rol të rëndësishëm në ballafaqimin me të kaluarën, përmes përkujtimit të ngjarjeve të së kaluarës dhe duke kujtuar e nderuar viktimat. Gjithashtu, memorializimi kontribuon në edukimin, ndërgjegjësimin dhe reflektimin e shoqërisë lidhur me ngjarjet e së kaluarës”, thuhet në reagim.
FDHK ka ftuar institucionet e Kosovës ta formojnë një komision për trajtimin dhe vlerësimin e të gjitha memorialëve në Kosovë, përfshirë edhe ato në prona private.
“FDHK fton institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që të formojnë një komision profesional për trajtimin dhe vlerësimin e të gjitha memorialeve në Kosovë, përfshirë ato të ngritura nga nisma dhe në hapësira private. Memorialet e vlerësuara nga ky komision si të rëndësishme në përkujtimin e së kaluarës, me theks te veçantë në përkujtimin e dinjitetshëm të viktimave, duhet të merren nën përkujdesjen e institucioneve përkatëse shtetërore, përkatësisht nën menaxhimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale”, thuhet në njoftim.
Historia e Pashkë Markut nuk është e panjohur në Kosovë. Më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës ku ranë 374 martirë, ishin edhe dy djemtë e Pashkës, Gjovalini dhe Milani.
Dy djemtë e saj u kthyen në arkivole, e kësaj humbje nuk mundi t’i rezistojë nëna Pashkë, e cila e kishte djegur pastaj veten me benzinë.