Ambasada e Francës në Kosovë, përmes një njoftimi në Facebook, ka shkruar se vendimi i Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës, dhe se e ardhmja sipas tyre është të bëhet anëtare në KE, por që sipas tyre nuk duhet të ketë veprime të njëanshme, duke lënë të nënkuptohet se Kosova e ka bërë një gjë të tillë.
Sipas tyre prioritet aktual është dialogu me Serbinë, që sipas tyre do të shërbejë për stabilizimin e Ballkanit.
“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në njoftimin e Ambasadër Franceze në Kosovë.
Më herët gjatë ditës së premte , Pierre Corhard, ambasador i Francës në Beograd, ka thënë për “TV Nova” se Franca nuk i përkrah vendimet e njëanshme, duke ju referuar kështu aplikimit të Kosovës në Këshillin Evropian.
Të enjten Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.
Përmes një video-adresimi të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se pas këtij aplikimi Kosova pritet të jetë anëtare e plotë e Këshillit Evropian.