Në pikën kufitare në Vërmicë, asnjë veturë s’po kontrollohet nga zyrtarët policor, por fluks kryesisht i bashkatdhetarëve është tek sportelet e Byrosë së Sigurimeve të Kosovës.
Kjo për shkak se duhet të paguajnë policën e sigurimit, gjë që po u duket e panevojshme qytetarëve që erdhën në Kosovë këtë të hënë.
“Për sa e di unë nuk mund të ndodhë kjo se vetëm rendi po bëhet dhe po presim kot, sdi për mendimin tim duhet me u largu kjo sikur të gjitha shtete e tjera, të Evropës…Prej Belgjikës, Prizren jam i Prizrenit, deri ktu nja 100 euro më kanë shkuar Shqipëri Kosovë, sigurime që sja vlen për mendimin tim”, ka thënë Hasan Krasniqi – Qytetar.
“Spo di cka me thanë spo di edhe skatë se qysh, po thojnë se këto pare kthehen mrapa a i kthejnë apo jo sedi”, ka thënë Agim Selmani – Qytetar.
Këto shqetësime, disa prej mërgimtarëve patën mundësi që t’ia shprehnin, dy ministrave të Punëve të Brendshme, që vizituan këtë pikëkalim kufitare në mesditë.
Xhelal Sveçla i ministër i Kosovës, e Taulant Balla, i Shqipërisë përveç vizitës që bënë, zhvilluan edhe një takim, ku biseduan për punët mes dy shteteve.
“Si rezultat i marrëveshjes për kalim të lehtësuar, nuk kemi shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që presin në radhë, vështirësinë që e kemi tash është me mërgatat tona që vinë për pushime, kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona t’u shërbejmë shpejt, me efikasitet, biseduam me ekipet tona, zgjidhje ka, ka vullnet të jashtëzakonshëm politik”, ka thënë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Balla i cili nuk komentoi edhe anulimin e mbledhjes së dy qeverive javë më parë, tha se duhet zgjidhje e shpejte që mërgimtarët të mos presin gjatë.
“Arsyeja e këtij takimi ka qenë kërkesa e imja në kontakt me ministrin Sveçla që takohem shumë shpesh, sepse kemi shumë marrëveshje. Konkretisht ka një rritje të numrit të mërgimtarëve, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria në Kosovë, duhet të pajisen me siguracion që merr kohë të caktuar, shqetësimi im është sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim, të gjenden mundësitë që gjatë hyrjes në Kosovë në Morinë koha të jetë e shkurtër, ose të gjejmë një zgjidhje të pajisen me siguracion.”, ka thënë Taulant Balla- Ministër i Punëve të Brendshme.
Se numri i qytetarëve që vijnë nga diaspora në Kosovë nga Shqipëria, e thonë edhe zyrtarë të Byros së Sigurimeve, të cilët thonë se janë duke punuar me kapacitete të plota.
“Situata po menaxhohet mirë ka vështirësi sepse është fluks i madhë për dallim prej viteve të tjera mirëpo me sukses kemi arritur që të e menaxhojmë, deri tani…është edhe objekti i ri ku gjendem aktualisht ku që nga sot është funksionalizu, janë shtuar edhe 3 sportele të reja që të mos presin”, ka thënë Agron Berisha – BSK.
Kontrollat kufitare gjatë sezonën e verës, mes Kosovës e Shqipërisë, janë larguar pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes dy shteteve, si masë lehtësimi për qytetarët.