Në takimin e parë i pritën përfaqësuesit e sindikatave, më pas akterë të shoqërisë civile, mediave e ekspertë të ndryshëm, ndërsa të hënën një kategori krejt tjetër, shoqatat e dala nga lufta.
Mysafirët, disa edhe shokë të luftës i priti tash kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, fjalën e morri i pari e u tregua i ashpër me kryeministrin e tanishëm.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së ka thënë se “Jam Ramush Hilmi Haradinaj, jam veteran i vërtet, nuk jam Albin Kurti që prej kafeve që i ka pi me serbë atëherë, ka shku në zyre të Adem Demaçit, e prej aty me duar të lidhura në Beograd, dhe nuk jam Mimoza Kusari që nuk e di ku ka qëndru në atë kohë në luftë, e di ku kanë qëndru shumica e gjakovarëve”.
Haradinaj po ashtu tha se me politikat e tij, kryeministri Albin Kurti i’a nguli thikën pa shpine amerikanëve dhe NATO-s e po ashtu veteranëve.
Në mandatin e kësaj qeverije shoqatat e dala nga lufta disa herë kanë protestuar, madje edhe duke penguar punën e Kuvendit.
Këso veprime radikale janë paralajmëruar edhe tash kur nuk janë barazuar pensionet e veteranëve me pagën minimale, por duket se ka ndryshim të qëndrimeve.
Xhavit Jashari, kryetari i shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së ka thënë se “Për momentin, meqenëse është dërguar Kushtetuese, deri në një interpretim të Gjykatës Kushtetutese ne do të presim, nuk do të marrim veprime të cilat në këtë kohë ndoshta edhe nuk na duhen”.
Ndryshe nga qëndrimet e Jasharit u shpreh përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve i cili bëri thirrje që të bllkohet institucioni ku votohen ligjet.
Bajram Qerkini, përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve ka thënë se “Këta që janë UÇK i kanë ka 200 veta pas veti, sikur Bajrami, edhe këta me e nxanë derën edhe me thanë valla atëherë edhe sot po them më mos me hy në ndërtesa. Mos me hy më në ndërtesa është sot Kuvendi nesër me thanë ky nuk ka drejt me hy”.
Të njëjtin kurs dhe kritikë ndaj Qeverisë shpërfaqën edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, ndër to edhe ajo e të burgosurve politikë. Ndërsa kërkesa që u përsërit më së shumti ishte barazim i pensionit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves me pagën minimale e cila sipas ligjit do të jetë 264 euro.
Të njëjtin, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim para tri ditësh.