Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Weidinger biseduan për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi vullnetin e institucioneve për tejkalimin e situatës aktuale në koordinim me aleatët e Republikës.
“Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Weidinger për përpjekjet e tij të vazhduara për forcimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, mbështetjes për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme, të cilat kanë afruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Presidentja ka ritheksuar se Austria mbetet aleat i rëndësishëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, mbështetja e të cilës ka qenë e rëndësishme në hapa të ndryshëm të historisë sonë, si dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë.
Osmani ka folur edhe për vizitën e parë zyrtare bilaterale në mandatin e saj si Presidente e Republikës në Republikën e Austrisë, me ç’rast theksoi se kjo vizitë ka qenë rikonfirmim i vullnetit të përbashkët për ta thelluar tutje partneritetin në mes të dy vendeve.