Një i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar të hënën, më 24 korrik, në Gjilan, pasi ka tentuar të godasë dy zyrtarë policie me automjetin e tij kombi.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, nëpërmjet raportit 24–orësh, incidenti ka ndodhur pasi zyrtarët e policisë kufitare i kishin dhënë shenjë për t’u ndalur, duke dyshuar se në automjetin e tij kishte mallra të kontrabanduara.
Gjatë konfrontimit, njëri nga zyrtarët policorë ka përdorur mjetet zyrtare në vetëmbrojtje, por fatmirësisht nuk ka pasur lëndime apo dëme materiale.
I dyshuari është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje sipas vendimit të prokurorit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se me automjetin e tij kombi ka tentuar të godas dy zyrtarët policor të cilët i kishin dhënë shenjë për tu ndalur për shkak se në automjet i dyshuari kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme-kryesisht pije alkoolike të cilat dyshohej se ishin të kontrabanduara. Gjatë ballafaqimit, njëri nga zyrtarët policor në vetëmbrojtje, ka përdorur mjetet zyrtare por nuk janë shkaktuar lëndime apo dëme materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në automjetin e tij kombi, i cili është shoqëruar në terminalin doganor “Dheu i Bardhë,” janë gjetur mallra të ndryshme, kryesisht pije alkoolike, të cilat dyshohet se ishin të kontrabanduara.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë njoftuar menjëherë institucionet kompetente lidhur me këtë rast dhe, sipas njoftimit, do të vazhdojnë me procedurat e mëtejshme.