Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të martën ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar për çështjet aktuale politike në vend.
Në këtë takim, sipas komunikatës së LDK-së, kryetari Abdixhiku i ka shpalosur ambasadorit Szunyog planin 7-pikësh të LDK-së, i cili përmban “zgjidhjen e krizës në veri dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Tutje, thuhet se në takim u bisedua dhe për nevojën e stabilitetit në vend, për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së dhe se “rruga e vetme e duhur për Kosovën është integrimi euroatlantik”.
Ndër të tjera, i pari i LDK-së e njoftoi ambasadorin edhe për ecurinë e takimeve me akterë të jetës publike në vazhdën e ndërtimit të “Rrugës së Re”, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi të gjitha proceseve që po kalon vendi.