Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të shpallen sa më shpejt.
Në një përgjigje për RTV Dukagjini, nga BE-ja thonë se presin pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në të njëjtat zgjedhje.
Ndërkaq, deklaratën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian, nuk e kanë komentuar.
“Ne nuk i komentojmë këto deklarata. Ne, megjithatë, shfrytëzojmë rastin të ritheksojmë se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë kërkesat e BE-së siç janë përshkruar në deklaratën e BE-së 27 nga 3 qershori 2023. Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat serbe të Kosovës në veri. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thonë nga BE-ja.
Bislimi tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur në mes të Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.
Edhe pse më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se diçka e tillë mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja, Bislimi tha se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.
“Është problem i brendshëm i Kosovës për të cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim adminsitrativ, apo duhet ligj”, tha Bislimi, i cili njëkohësisht është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.
Dorëheqja eventuale e kryetarëve do të çonte komunat në zgjedhje të parakohshme, mirëpo, sipas Bislimit, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kërkojë një gjë të tillë nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që janë nga kjo parti.
Kryetarët e dy komunave të tjera, Zveçan e Zubin Potok, janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës. Sipas marrëveshjes, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar, pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Kryetarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.