Profesioni i policit është një detyrë shumë e rëndësishme në shoqëri, përgjegjësia e të cilit është të ruajë rendin dhe sigurinë publike. Pjesë e profesionit janë edhe situatat e rrezikshme me të cilat ballafaqohen në përditshmëri gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Portalin Dukagjini se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 62 sulme fizike ndaj zyrtarëve policorë, derisa ishin në detyrë. Po ashtu, 36 raste të tjera janë cilësuar si “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Përkundër rrezikut të përditshëm, janë bërë gati 6 muaj që zyrtarëve policorë shteti i Kosovës nuk ua ka ekzekutuar shtesat e rrezikshmërisë.
Nga Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme, kishin njoftuar se zyrtarët policorë mjetet e shtesave të rrezikshmërisë do t’i marrin në mënyrë retroaktive, kur t’i përfundojë punët komisioni përkatës për Ligjin e Pagave.
“Rreth 40 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje për mungesë të kushteve”
Për sfidat e kushtet jo të mira në punë ka folur kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili i tha Dukagjinit se këtë vit rreth 40 zyrtarë policorë e kanë lënë vendin e punës për shkak të mungesës së kushteve adekuate.
Mospagesa e shtesave për rrezikshmëri, sipas Zeqirit, nuk ka pasur arsye të ndodhë dhe se është dëm i madh që po u bëhet zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
“Mospagesa e shtesës për rrezikshmëri nuk e ka asnjë arsye, kjo nuk është dashtë të ndodhë, po bëhet muaji i gjashtë që shtesat për rrezikshmëri nuk po i marrim. Shtesën për rrezikshmëri mujnë me ndalë, por rrezikun policit nuk mund t’ia heqin. Në realitet gjatë këtij viti i kemi 40 dorëheqje, kanë dhënë dorëheqje për shkak të kushteve, pagë e dobët, jo rritje por zbritje”, tha ai.
Zeqiri theksoi se që nga formimi i Policisë së Kosovës janë 23 zyrtarë policorë të cilët e kanë humbur jetën derisa po i kryenin detyrat e tyre.
Po ashtu, rreth katër mijë zyrtarë kanë pësuar lëndime e disa prej tyre sipas Zeqirit kanë mbetur me invaliditet të përhershëm. Të gjitha këto fakte, sipas tij, do të duheshin të merreshin parasysh nga institucionet e Kosovës në mënyrë që policët të trajtohen më me dinjitet.
“Ata që e njohin punën policore e dinë shumë mirë që puna policore është shumë specifike, zyrtari policor në çdo kohë dhe moment e ka të rrezikum shëndetin dhe jetën. I kemi 23 zyrtarë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare i kemi mbi 4 mijë raste të lëndimeve prej që është formu Policia e Kosovës, që janë lëndu dhe që kanë mbetur disa me invaliditet të përhershëm”, tha ai.
Sa i përket kësaj çështjeje, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme politike në mënyrë që shtesat e rrezikshmërisë të zbatohen.
“MPB, respektivisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, nuk e ka marrë në konsideratë apo s’e ka pasur mbështetjen e duhur nga niveli politik për ta zbatuar më tutje rrezikshmërinë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë çdo ditë në përballje të krimeve apo veprimtarive kriminale dhe rrezikojnë jetën e tyre. Një mospagesë e tyre po e dëshmon edhe një herë situatën e nivelit politik për të gjetur një zgjidhje optimale, tha ai për Portalin Dukagjini.
Sipas Shalës, këto mosveprime të shtetit karshi nevojave të Policisë së Kosovës do të jenë demotivuese për personat të cilët synojnë ta marrin profesionin e policit.
“Në qoftë se i referohemi shifrave zyrtare nga fillimi i janarit 2023, deri më tani 100 policë kanë dhënë dorëheqje. Si shkaktar kryesor ka qenë deklarimi kushtet ekonomike apo financiare, kjo dëshmon se në qoftë se nuk do të kemi përkujdesje ndaj policisë do të jetë demotivuese”, tha ai.
Sindikata e Policisë së Kosovës e ka dërguar një peticion në Kuvendin e Kosovës, me kërkesat e tyre për zbatimin e shtesave të rrezikshmërisë. Sipas kryetarit, Imer Zeqiri, në rast se nuk merret parasysh as ky peticion, atëherë do të merren veprime sindikale të tjera.
Ndryshe, Policia e Kosovës (PK), me datën 26 korrik (sot), me rastin e ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës, do të organizojë ceremoni përkujtimore në shenjë nderimi dhe përkujtimi për heronjtë e Kosovës.
Po ashtu, me rastin e kësaj dite, në kampin Belvedere në Mitrovicë Jugu, do të zbulohet pllaka me emërtimin e ri të këtij kampi.
Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, familjarë të policëve të rënë në kryerje të detyrës si dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës.