Një zjarr masiv shpërtheu të premten në mbrëmje në një ndërtesë komerciale katërkatëshe në kryeqytetin indian, duke lënë të vrarë të paktën 27 persona e disa të tjerë të plagosur, thuhet në njoftimin e dhomës së kontrollit të zjarrit.
Ndërtesa ndodhet në zonën Mundka në perëndim Nju Delhi.
Dhoma e kontrollit ka thënë se dhjetra njerëz janë shpëtuar nga ndërtesa, e cila përmban kryesisht dyqane.
Agjencia e lajmeve Press Trust of India ka thënë se, 12 persona pësuan djegie nga zjarri dhe 50 u evakuuan nga ndërtesa.
Njëzet e shtatë makina zjarrfikëse i kanë shuar zjarrin, pas betejës për më shumë se pesë orë. Një operacion kërkimi ka vazhduar për të kërkuar këdo që mund të ishte i bllokuar nën rrënoja.
Shkaku i zjarrit nuk ishte i qartë.
“Të shqetësuar nga aksidenti tragjik i zjarrit në një ndërtesë pranë stacionit të metrosë Mundka në Delhi. Ngushëllimet e mia për familjet e viktimave. Uroj shërim të shpejtë të të plagosurve”, ka shkruar në Twitter presidenti i Indisë Ram Nath Kovind.
Kryeministri Narendra Modi ka thënë se është jashtëzakonisht i pikëlluar nga humbja e jetëve.
Zjarret janë të zakonshme në Indi, ku ligjet e ndërtimit dhe normat e sigurisë shpesh shpërfillen nga ndërtuesit dhe banorët.
Atul Garg, drejtor i Shërbimeve të Zjarrfikësve në Delhi, ka thënë se ndërtesa nuk kishte leje nga departamenti i zjarrfikësve dhe nuk ishte e pajisur me pajisje të sigurisë nga zjarri.
Viktimat kanë mbetur të vrarë në katin e dytë të ndërtesës, në të cilin është ruajtur materiali plastik i ndezshëm që përdoret për prodhimin e pajisjeve, si kamerat e sigurisë.
Gazeta Indian Express ka thënë se, dy pronarë të një kompanie që shisnin kamera sigurie janë arrestuan për t’u marrë në pyetje, pasi zjarri raportohet se ka nisur nga zyra e tyre. Nuk ka pasur konfirmim të menjëhershëm nga policia.
Në vitin 2019, një zjarr i shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik, kishte përfshirë një ndërtesë në Nju Delhi, ku kishin mbetur të vrarë 43 njerëz.