Dilemat për bazën ligjore dhe kushtëzimin për zgjedhjet e reja në veri që u ngritën si temë nga kryenegociatori Besnik Bislimi të hënen, nuk janë marrë shumë seriozisht nga Brukseli një ditë më vonë.
Të pyetur për këtë çështje, zëdhënës të Bashkimit Evropian, nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat konkretet të Bislimit, nën arsyetimin e zakonshëm se nuk e bëjnë një gjë të tillë zakonisht.
Por kanë adresuar edhe një herë tjetër kërkesën e tyre, që me zgjedhjet të ecet tutje, e madje duke përmendur edhe një detaj, në lidhje me pjesëmarrjen e serbëve të veriut në to.
“Ne, megjithatë, shfrytëzojmë rastin të ritheksojmë se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë kërkesat e BE-së siç janë përshkruar në deklaratën e BE-së 27 nga 3 qershori 2023. Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat serbe të Kosovës në veri. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Deklaratat e Bislimit, Eugen Cakolli, i ka konsideruar si një tentim për të siç është shprehur ai, rritje të pazarit negociues, e sipas tij, edhe baza ligjore aktuale, është e mjaftueshme, por edhe e qartë, përjashtuar një rregullore.
“Besoj që korniza aktuale ligjore në nivel të ligjit është mëse e qartë dhe adekuate për të pasur një mundësi të tillë, ajo cfarë nevojitet është që të ketë rregullore, nga ana e KQZ-së apo rregulla zgjedhore, që përcaktojnë vetëm modalitetin e organizimit, për shkak se nuk ka nevojë të ndryshohet asnjë ligj. Ky nuk është një referendum, njihet edhe ligjerisht si I tillë kështu që nuk ka nevojë të miratohet fare një ligj i ri.”
Kushtëzimin që e bëri Bislimi me heqjen e sanksioneve, e kanë kritikuar edhe opozita gjatë së martës.
“Njerëzit që e kanë vendosë vendin nën sanksione, qofshin ato nga BE-ja, apo ShBA-ja, përfaqësuesit e koalicionit ‘Zdravo’ nuk munden me heq vendin nga sanksionet. Andaj ne kërkojmë që sa më shpejtë që vendi të shkojë në zgjedhje të formojë një qeveri të re kredibile që përfaqëson interesat e qytetarëve”, ka thënë Abelard Tahiri nga PDK.
“Në raport me dialogun dhe shtrirjen e sovranitetin në veri, qeveria vazhdon të eksperimentoj dhe taktizoj me qëllimin e vetëm që të blej kohë. Po ashtu, vazhdon që të godet secilin partner ndërkombëtar, duke përfshirë edhe BE-në dhe ShBA-në në qëndrimet që i kanë dhënë. Ata vazhdojnë t’i japin thikë pas shpine partnerëve tanë në çdo aspekt. Nuk komunikohet kështu me BE-në dhe aleatët tanë pasi kjo vetëm e kthehen Kosovën prapa”, ka thënë Besnik Tahiri nga AAK.
Ndër opsionet për të shkuar në zgjedhje në veri, një prej kërkesave të komunitetit ndërkombëtar, përveç dorëheqjes së kryetarëve, është edhe forma e peticionit, që duhet nënshkruar nga 20% e qytetarëve me të drejtë vote në secilën prej komunave.