Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e dramaturgut të njohur, Haqif Mulliqi.
Në një njoftim të publikuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Osmani ka deklaruar se veprat e të ndjerin mbesin një testament për gjeneratat e ardhshme.
“Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi. Ai la gjurmë jo vetëm në fushën e gazetarisë, sferës akademike, por edhe në atë të dramaturgjisë, ndaj veprat e tij janë testament për brezat e ardhshëm. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit kulturor dhe atij të gazetarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin!”, thuhet në njoftim.
Dramaturgu, gazetari dhe profesori, Haqif Mulliqi, ka ndërruar jetë të martën.
Lajmin e ka dhënë e bija e tij me anë të një postimi në Facebook.
Veprat Mulliqit zunë vend në teatrot në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.
“Alo 1991”, “Trenat”, “Komedia”, “Ruleti ballkanik”, “Një varr për majorin e mbretit” janë disa nga veprat e tij. Ndërsa “The Kosowars”, “Komemorativisht”, “Komedia apo marrëzia njerëzore” dhe “Parfumeria” janë dramat e tij të shfaqura në teatrin që themeloi vet në vitin 2002, Teatrin Alternativ “Kosova”.
Ishte mësimdhënës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në degën e dramaturgjisë.
Ndërkaq, karrierën në gazetari e zhvilloi në “Bota e Re” për ta vazhduar më vonë në gazetat kroate dhe gazetën në Zagreb, “Potlet”.