BE-ja e gatshme të gjejë rrugë alternative për eksportin e grurit të Ukrainës

Bashkimi Evropian, të martën ka thënë se është gati të eksportojë pothuajse të gjitha prodhimet bujqësore të Ukrainës përmes rrugëve alternative apo "korsive të solidaritetit", përmes vendeve fqinje të BE-së

Gruri ngarkohet në një kamion në një fushë pranë fshatit Kivshovata, rajoni i Kievit, më 18 korrik 2023. Foto: AFP

Të martën Bashkimi Evropian ka thënë se është gati të eksportojë pothuajse të gjitha prodhimet bujqësore të Ukrainës përmes rrugëve alternative apo “korsive të solidaritetit”, përmes vendeve fqinje të BE-së dhe të ndihmojë në mbulimin e kostove të transportit.

“Ne jemi gati të eksportojmë pothuajse gjithçka. Kjo është rreth katër milionë tonë në muaj fara vajore dhe drithëra; ne e arritëm këtë vëllim në nëntorin e vitit të kaluar”, ka thënë komisioneri i BE-së për bujqësinë, Janusz Wojciechowski.

Wojciechowski ka thënë se BE-ja po kërkonte të dilte me një plan të përbashkët për të mbuluar kostot shtesë të transportit.

Megjithatë, zgjerimi i tranzitit të drithërave përmes BE-së është temë e ndjeshme për Poloninë dhe disa vende në kufi me Ukrainën, ku fermerët janë nën presion nga rritja e importeve ukrainase.

Në maj, BE-ja lejoi pesë vende afër Ukrainës – Bullgarinë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë – të ndalonin shitjet e brendshme të grurit, misrit dhe farave vajore ukrainase deri më 15 shtator, duke lejuar tranzitin përmes tyre për eksport të mëtejshëm.

BE-ja do të rishikojë ndalimin, pasi disa vende kërkuan një zgjatje përtej 15 shtatorit.

Ministri polak i Bujqësisë, Robert Telus u tha gazetarëve të martën se ai donte një ndalim të pjesshëm, duke shpjeguar si shembull se Polonia donte të ndalonte mjedrat, por do të lejonte farat e lulediellit.

“Nuk ka asnjë mënyrë që pas 15 shtatorit, gruri i Ukrainës të hyjë në Poloni”, tha Telus. “Ne kemi shumë drithëra, çmimet e drithit tashmë janë të ulëta…kjo do të destabilizonte plotësisht tregun tonë”, tha ai.

Lituania i ka kërkuar Komisionit Evropian të zhvillojë një rrugë për grurin ukrainas përmes pesë porteve në shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, sipas një letre të parë nga Reuters.

Pesë portet kanë një kapacitet të kombinuar të eksportit të grurit prej 25 milionë ton, thuhej në letër.

Shefja e USAID-it, Samantha Power tha të martën se Uashingtoni do të kërkojë të investojë në magazinimin shtesë të drithit për Ukrainën, në mënyrë që të korrat që mund të ishin transportuar përmes Detit të Zi të mos kalben derisa presin të eksportohen në tregjet globale.

Refuzimi i Rusisë për të rinovuar marrëveshjen në fillim të këtij muaji, ka bërë që anijet e ngarkuara me drithëra të mos mund të kalojnë nga portet e Ukrainës.

Marrëveshja ishte ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia si një mënyrë për të dërguar grurin në vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, pavarësisht luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kur u arrit marrëveshja e grurit, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së rifitoi një furnizues kryesor, duke lejuar 725,000 tonë ndihma ushqimore humanitare të largoheshin nga Ukraina dhe të arrinin në vendet në prag të urisë, duke përfshirë Etiopinë, Afganistanin dhe Jemenin. /REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika