Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka kujtuar Adem Demaçin në pesëvjetorin e vdekjes së tij duke thënë se Adem Demaçi për shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë njëra prej figurave më të rëndësishme që ka artikuluar interesat më jetike të kombit shqiptar, duke filluar prej koncepteve të Kosovës Republikë, Bashkimit Kombëtar dhe së drejtës për vetëvendosje.
Teksa kryeparlamentari Konjufca ka bërë homazhe te varri i veprimtarit dhe intelektualit, Adem Demaçi, ka thënë se ai jo vetëm që i artikuloi interesat më jetike të kombit shqiptar, por i mbrojti me një sakrificë të pashembullt duke qenë në krye të proceseve më të rëndësishme të popullit të Kosovës.
“Adem Demaçi për shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë njëra prej figurave më të rëndësishme që ka artikuluar interesat më jetike të kombit shqiptar, duke filluar prej koncepteve të Kosovës Republikë, Bashkimit Kombëtar dhe të drejtës për vetëvendosje, jo vetëm që i artikuloi, i mbrojti me një sakrificë të pashembullt duke qenë në krye të proceseve më të rëndësishme të popullit tonë, aty ku ishin përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave tona si popull, në rend të parë ishte Adem Demaçi duke filluar prej viteve të 50-ta kur u burgos për herë të parë deri në 1998 kur thirrja e kërkoi të jetë në ballë të UÇK-së”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë tutje se Demaçi nuk dështoi asnjëherë, pasi gjithmonë i ka frymëzuar brezat me sakrificën dhe veprimtarinë e tij, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe e cila është e “rëndësishme edhe për ne që vazhdojmë të jetojmë dhe të përfaqësojmë Republikën e Kosovës në institucione me përgjegjësi të ndryshme”.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse Demaçi do të nderohet dhe do të kujtohet gjithmonë dhe ka një vend të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar.
Ndryshe, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik ndërroi jetë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 87 vjet.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e ish-Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpërinjtë e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.
Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.