Në pesëvjetorin e kalimit në përjetësi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprimtarin e dalluar të çështjes kombëtare, kolosin shqiptar, Adem Demaçi.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “secili vit i jetës së bacës Adem, ishte frymëzim për brezat e sakrificës, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ai nuk u ndal asnjëherë së angazhuari për realizimin e idealeve për të cilat kishte kaluar tri dekada në burgjet famëkeqe serbe”, shkroi Haradinaj.
Sipas tij, Baca Adem do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike si njeriu i hekurt, që nuk e mposhtën as torturat më mizore të regjimit serb.
“Mirënjohës përjetë rrugëtimit të tij jetësor në shërbim të atdheut”.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik ndërroi jetë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 87 vjet.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi kishte vuajtur 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpërinjtë e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.
Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.