Qeveria e Kosovës miraton pako të sanksioneve ndaj Rusisë

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë. Ky vendim u mor në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e 11-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë lidhur me luftën në Ukrainë, të propozuar nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD).

Këshilli i Bashkimit Evropian e kishte miratuar pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 23 qershor. Në këtë pako ishin zgjeruar disa kufizime të mëhershme dhe ishin shtuar disa dhjetëra entitete të reja në listën e sanksioneve.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 26 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria po plotëson vendimin për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare “në përputhje me masat e reja kufizuese të Bashkimit Evropian”.

Pas përshkrimit të pakos nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, qeveria e miratoi këtë pako në atë që Gërvalla e përshkroi si “dëshmi të fuqishme të përkushtimit të Kosovës për drejtësi dhe paqe jo vetëm në rajonin tonë por në mbarë botën”.

“Kosova qëndron e palëkundur në krahë të partnerëve të saj, pra SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian”, tha Gërvalla.

Përmes kësaj pakoje të 11-të të sanksioneve, Bashkimi Evropian kërkoi t’ua pamundësojë vendeve dhe kompanive të tjera t’i anashkalojnë masat e vendosura më parë, duke i mbyllur zbrazëtirat në atë mënyrë që mallrat dhe teknologjia kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë të mos arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në.

“Sisteme janë duke u vendosur në disa vende për monitorimin, kontrollin dhe bllokimin e rieksportit”, thuhej në deklaratën e BE-së.

“Shifrat anormale të tregtisë për disa produkte/vende shumë specifike janë dëshmi e fortë se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive t’i anashkalojë sanksionet. Kjo kërkon që ne t’i dyfishojmë përpjekjet tona në trajtimin e anashkalimit dhe t’u kërkojmë fqinjëve tanë bashkëpunim edhe më të ngushtë”.

Pakoja, gjithashtu, përfshin pezullimin e licensave të transmetimit të BE-së për pesë media të tjera shtetërore ruse të kontrolluara, duke e çuar numrin total të mediave në dhjetë.

Për më tepër, pakoja ndalon hyrjen në portet e BE-së për anijet që angazhohen në transferimin e naftës së papërpunuar ose të produkteve të naftës në det, nëse ka arsye për të dyshuar se ngarkesa ka origjinë ruse./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika