Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar policin e rënë gjatë detyrës, Enver Zymberi, në 12-vjetorin e vdekjes së tij, duke theksuar se ai sot është “Heroi i Kosovës së Pavarur”.
“12 vjet më parë, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit, Enver Zymberi sakrifikoi edhe jetën e tij”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, ai ka shkruar se “me të drejtë, sot ai është Heroi i Kosovës së Pavarur, guximi dhe vepra e të cilit do kujtohet ndër breza – si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit”.
Ndër të tjera, Krasniqi ka theksuar se Enver Zymberi nuk kishte qenë aksidentalisht polic.
“Enver Zymberi nuk ishte aksidentalisht polic. Për të, uniforma e policisë ishte vetëm mënyra e tij për t’i shërbyer Kosovës me nder e krenari – gjë të cilën e bëri deri në frymën e fundit”, vijon ai.
“Andaj, sot, në këtë Ditë Memoriale, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e Heroit tonë Enver Zymberi dhe të gjithë Policëve të Rënë në Detyrë”.
“Lavdi e përjetshme!”, ka përfunduar Krasniqi.
Ndryshe, të mërkurën, kampi i policisë “Belvedere” në Mitrovicë do ta marrë zyrtarisht emrin e ri, “Enver Zymberi”, ceremonia e zyrtarizimit të emrit të ri të kampit do të mbahet me fillim nga ora 17:00.
Emri i ri i kampit do të përurohet në ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Polici Enver Zymberi u vra në operacionin e Policisë në veri të Kosovës më 26 korrik 2011. Ai u vra gjatë aksionit për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare në veri.