E ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull” ishte Idea Peja nga Libraria Dukagjini. Ajo përgjatë emisionit bëri të ditur më shumë rreth librave të cilat kërkohen në sezonin veror dhe se cilat gjenerata kanë kërkesa më të mëdha rreth librave.
“Verës ka pak më shumë kërkesa për libra, por e gjitha varet prej moshës të njerëzve për preferencat që i kanë, në çfarë pike të jetës ndodhen momentalisht dhe cilave tema donë me ju ik e cilave jo”, ka thënë Idea Peja.
Tutje, ajo bëri të ditur se “më së shumti kemi kërkesë për libra që kanë të bëjnë me shëndetin mendor”.
Ndër të tjera, sipas saj, lexuesit kryesorë në këtë kohë janë fëmijët, kjo për shkak të vetëdijesimit edhe të prindërve që fëmijët e tyre të lexojnë sa më shumë.
“Ne jemi shumë të lumtur që fëmijët sot jemi duke i pasur ndër lexuesit kryesorë në librari”, është shprehur Idea Peja.
Sipas saj, sa u përket librave më të kërkuar gjatë sezonit veror janë librat romancë. Ndërsa, duke pasur frekuentim më të madh në pikat e Librarisë “Dukagjini”, njëherit duke pasur parasysh edhe fluksin më të madh të bashkatdhetarëve në Kosovë, librat më të kërkuar janë librat historikë.
“Kur e kemi një kërkesë për një libër specifik duhet t’i pyesim a iu duhet në gjuhën shqipe apo angleze, këtë po mundohemi me e tejkalua dhe me e kthy lexuesin kah gjuha shqipe apo gjuha amtare”, ka përfunduar ajo.